ZLAW
ZLAW / Aksidente rrugore

Dëmshpërblim për aksidentet rrugore

Nëse jeni dëmtuar në një aksident rrugor si shofer, pasagjer, këmbësor ose motorist, keni të drejtë të kërkoni dëmshpërblim nga siguruesi i mjetit përgjegjës.

Kush ka të drejtë për dëmshpërblim

  • Drejtuesi i mjetit që nuk e shkaktoi aksidentin.
  • Pasagjerët, pavarësisht në cilin mjet ndodheshin. Ligji mbulon edhe pasagjerët që po hipnin ose po zbrisnin nga mjeti.
  • Këmbësorët dhe çiklistët e goditur nga një mjet.
  • Familjarët, kur aksidenti merr jetën e të afërmit. Shihni Humbje jete.

Nga kush kërkohet dëmshpërblimi

Kërkesa paraqitet drejtpërdrejt te shoqëria e sigurimit e mjetit që shkaktoi aksidentin. Nuk keni nevojë të kërkoni para nga vetë drejtuesi.

  • Mjeti ishte i siguruar: paguan siguruesi i tij.
  • Mjeti ishte pa sigurim, ose drejtuesi u largua dhe nuk u identifikua: paguan Fondi i Kompensimit.
  • Mjeti kishte targa të huaja: kërkesa i drejtohet Byrosë Shqiptare të Sigurimit.

Ligji nr. 32/2021 "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit", nenet 9, 18, 28 dhe 41.

Çfarë shpërblehet

Ligji mbulon dëmet pasurore dhe jopasurore që vijnë nga dëmtimi i shëndetit ose humbja e jetës.

  • Shpenzimet e mjekimit, të operacioneve, të barnave dhe të rehabilitimit.
  • Të ardhurat e humbura gjatë kohës që nuk keni mundur të punoni.
  • Humbja e përhershme e aftësisë për punë, sipas aktit të ekspertimit mjekoligjor.
  • Dëmi jopasuror: dhimbja fizike, vuajtja shpirtërore dhe përkeqësimi i cilësisë së jetës.

Afatet

Për dëmtimet në shëndet ose humbjen e jetës, siguruesi duhet t'i përgjigjet kërkesës brenda 90 ditëve. Pasi të arrihet marrëveshja për shumën, pagesa bëhet brenda 14 ditëve. Nëse siguruesi nuk përgjigjet, kundërshton shumën ose refuzon pagesën, çështja mund të çohet në gjykatë.

Ligji nr. 32/2021, neni 10.

Kujdes me ofertat e para. Mos nënshkruani marrëveshje ose deklaratë me siguruesin pa e verifikuar shumën. Pas nënshkrimit mund të mos keni më mundësi të kërkoni diferencën.

Si e ndjekim çështjen

Pasi lidhim prokurën dhe kontratën e porosisë, marrim dokumentet mjekësore dhe dosjen e procedimit në prokurori, ndjekim aktet e ekspertimit dhe paraqesim kërkesën te siguruesi. Nëse nuk ka zgjidhje, ngremë padinë në gjykatë.

Shihni edhe çfarë të bëni pas aksidentit dhe dokumentet që duhen.

Na tregoni çfarë ndodhi

Nëse nuk fitojmë, nuk na paguani asgjë. Konsultimi i parë me telefon është pa pagesë.

Ju telefonojmë ne

Lini emrin dhe numrin. Ju marrim ne në telefon, pa pagesë.

TelefononiWhatsApp