Pyetje të shpeshta
Përgjigje të shkurtra për pyetjet që na bëjnë më shpesh të dëmtuarit dhe familjarët e tyre.
Çfarë dokumentesh më duhen?
Në fillim mjafton një dokument identifikimi dhe çfarëdo dokumenti mjekësor që keni. Pjesën tjetër e mbledhim bashkë. Lista e plotë është te Lista e dokumenteve.
Sa zgjat procesi?
Për dëmtimet në shëndet, siguruesi duhet t'i përgjigjet kërkesës brenda 90 ditëve dhe, pasi të arrihet marrëveshja, të paguajë brenda 14 ditëve (ligji nr. 32/2021, neni 10).
Nëse çështja shkon në gjykatë, kohëzgjatja varet nga gjykata dhe nga ekspertimet që duhen, dhe mund të jetë e gjatë. Ju mbajmë të informuar në çdo hap.
Mjeti që më goditi ishte pa sigurim, ose drejtuesi u largua. A kam të drejtë?
Po. Kur mjeti ishte i pasiguruar ose nuk u identifikua, dëmshpërblimi kërkohet nga Fondi i Kompensimit (ligji nr. 32/2021, neni 41).
Mjeti kishte targa të huaja. Kujt i drejtohem?
Byrosë Shqiptare të Sigurimit, që garanton dëmshpërblimin për aksidentet e shkaktuara në Shqipëri nga mjete të huaja me sigurim ndërkombëtar (ligji nr. 32/2021, neni 28).
Isha pasagjer. A kam të drejtë për dëmshpërblim?
Po. Ligji mbulon pasagjerët, edhe ata që po hipnin ose po zbrisnin nga mjeti (ligji nr. 32/2021, neni 18). Kjo vlen edhe kur drejtuesi ishte i afërmi juaj.
Po nëse kisha edhe unë pjesë faji?
Nuk e humbni të drejtën, por dëmshpërblimi mund të ulet në masën e fajit tuaj. Këtë e vlerësojnë aktet e ekspertimit dhe, në fund, gjykata.
Cilat dëme shpërblehen?
Dëmet pasurore, si shpenzimet e mjekimit, të ardhurat e humbura dhe humbja e aftësisë për punë, si dhe dëmet jopasurore (ligji nr. 32/2021, neni 25). Gjykata e Lartë ka njohur dëmin biologjik, moral dhe ekzistencial (Vendimi unifikues nr. 12/2007).
Siguruesi më bëri një ofertë. Ta pranoj?
Mos nënshkruani pa e verifikuar. Oferta duhet krahasuar me dokumentet mjekësore dhe me aktin e ekspertimit. Pasi nënshkruani marrëveshjen, zakonisht nuk keni më mundësi të kërkoni diferencën.
A duhet të shkoj patjetër në gjykatë?
Jo. Fillimisht kërkesa i paraqitet siguruesit. Çështja shkon në gjykatë vetëm kur siguruesi nuk përgjigjet në afat, kundërshton shumën ose refuzon pagesën (ligji nr. 32/2021, neni 10).
Jetoj jashtë Shqipërisë. A mund ta ndiqni çështjen?
Po. Prokurën mund ta bëni te noteri në vendin ku jetoni, me vulën apostile kur kërkohet, ose në konsullatën shqiptare. Pastaj ne e ndjekim çështjen këtu dhe ju mbajmë të informuar me email dhe WhatsApp.
Sa kushton?
Nëse nuk fitojmë, nuk na paguani asgjë. Tarifa është përqindje e dëmshpërblimit të fituar dhe bihet dakord me kontratë porosie me shkrim, para se të fillojë puna (ligji nr. 55/2018, neni 8). Konsultimi i parë me telefon është pa pagesë.
Sa kohë kam për të kërkuar dëmshpërblim?
Ligji parashikon afate parashkrimi, pas të cilave e drejta mund të humbasë. Mos e lini për më vonë: na kontaktoni sa më shpejt pas aksidentit.