Pas një aksidenti në punë, shumë punëmarrës mendojnë se mjafton raporti mjekësor. Në fakt, ligji ju jep dy rrugë të ndryshme, dhe njëra nuk e përjashton tjetrën.
Detyrimi i punëdhënësit
Punëdhënësi detyrohet të sigurojë mbrojtjen e punëmarrësve në të gjitha aspektet e sigurisë dhe shëndetit në punë. Detyrimet që ka vetë punëmarrësi nuk e cenojnë përgjegjësinë e punëdhënësit. Pas aksidentit, punëdhënësi duhet të njoftojë menjëherë Inspektoratin Shtetëror të Punës.
Ligji nr. 10237/2010 "Për sigurinë dhe shëndetin në punë", nenet 4 dhe 25.
Dy rrugët
- Sigurimet shoqërore: përfitimet për paaftësinë e përkohshme ose të përhershme nga aksidenti në punë.
- Dëmshpërblimi nga punëdhënësi: për dëmin pasuror dhe jopasuror, kur aksidenti vjen nga mosrespektimi i rregullave të sigurisë. Gjykata e Lartë, me Vendimin unifikues nr. 12/2007, njohu të drejtën e të dëmtuarit dhe të familjarëve për dëmin biologjik, moral dhe ekzistencial.
Rastet më të shpeshta
- Rënie nga skela, çatia ose shkallët, pa rrip ose parmak sigurie.
- Dëmtime nga makineri pa mbrojtëse ose nga punë pa trajnim.
- Mungesë e kaskës, dorezave, këpucëve ose syzeve mbrojtëse.
- Punë me rrymë elektrike pa masa sigurie.
Çfarë të bëni menjëherë
- Shkoni te mjeku dhe ruani çdo dokument.
- Sigurohuni që aksidenti të jetë raportuar te punëdhënësi dhe te Inspektorati.
- Mbani emrat e kolegëve që panë ngjarjen dhe fotografoni vendin ose makinerinë.
- Ruani kontratën e punës dhe listëpagesat.
- Mos nënshkruani deklarata për shkakun e aksidentit pa u këshilluar. Shpesh ju kërkohet të shkruani se ishte "pakujdesi e juaja".
Më shumë te faqja Aksidente në punë.
Ky artikull jep informacion të përgjithshëm dhe nuk zëvendëson këshillën ligjore për rastin tuaj.